“Dialogu përfundon kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet” – Vllasi komenton qëndrimet nacionaliste të Listës Studentore

“Dialogu përfundon kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet” – Vllasi komenton qëndrimet nacionaliste të Listës Studentore

Written by

in

Ish-politikani kosovar Azem Vllasi ka vlerësuar se fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Kosovës.

Sipas tij, votuesit serbë kanë shprehur pakënaqësi ndaj regjimit të deritanishëm, por kjo nuk do të thotë se janë distancuar edhe nga qasja e tij ndaj vendeve fqinje.

Politikë e re, mendësi e vjetër – Gjenero paralajmëron për vazhdimësinë e nacionalizmit serb ndaj Kosovës te Lista Studentore

Në një bisedë për Dukagjinin, Vllasi ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë dëshirën e shumicës së votuesve për ndryshim të pushtetit, por jo medoemos për ndryshim të politikës së jashtme të Serbisë.

“Me rezultatet e këtyre votimeve, shumica serbe ka shprehur dëshirën që të heqë qafe një regjim i cili i ka shkaktuar pasoja vetë shtetit të tyre qe 40 vjet. Por jo të distancohet nga politika e atij regjimi ndaj fqinjëve”, ka deklaruar Vllasi.

Ai ka theksuar se nuk pret ndryshim thelbësor në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, megjithëse ka shtuar se qasja e udhëheqjes së re mund të mos jetë më e keqe se ajo e deritanishmja.

“Serbia do ta humbte sërish luftën”, Martens kritikon programin e Listës Studentore për Kosovën

Qëndrimet e Listës Studentore për Kosovën

Deklaratat e përfaqësuesve të Listës Studentore për çështjen e Kosovës kanë ngritur pikëpyetje për drejtimin që mund të marrë politika e Beogradit pas zgjedhjeve.

Ilija Sërdanoviq, i pari në listën zgjedhore të kësaj lëvizjeje, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i dialogut me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve është pjesë themelore e programit të tyre.

Megjithatë, ai ka theksuar se platforma e lëvizjes mbështetet në respektimin e Kushtetutës së Serbisë.

Kreu i listës që mposhti Vuçiqin: U mobilizova në ushtri më 1999 për ta mbrojtur Serbinë nga NATO-ja

“Vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës është pjesë themelore e planit studentor. E gjithë platforma e marrëdhënieve të brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë mbështetet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, ka thënë Sërdanoviq.

Sa i përket marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, Sërdanoviq ka deklaruar se marrëveshjet ndërkombëtare do të respektohen, por ka lënë të hapur mundësinë e rishqyrtimit të tyre për të vlerësuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën serbe.

Illija Sërdanoviq: Dialogu me Kosovën dhe integrimi evropian do të vazhdojnë

Një qëndrim të qartë për statusin e Kosovës ka shprehur edhe Dejan Shkoshiq, profesori universitar dhe ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, i përmendur si kandidat i mundshëm për kryeministër.

Fytyra të reja, pretendime të vjetra: Kandidati potencial për kryeministër nuk ndryshon qëndrimin e Beogradit për Kosovën

Në një intervistë për mediumin kroat “Index”, ai ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Korniza juridike në Serbi është plotësisht e qartë, Kushtetuta thotë se Kosova dhe Metohia është krahinë autonome brenda Serbisë. Nga ana tjetër, edhe dokumentet kryesore të kornizës juridike ndërkombëtare, si Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thonë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Shkoshiq.

Për Vllasin, ky qëndrim tregon se udhëheqja e re mund të mos e trajtojë çështjen e Kosovës si prioritet, ndërsa vazhdon të mbështetet në interpretimin kushtetues serb për statusin e saj.

“Pikërisht kjo deklaratë e Shkoshiqit flet se pushteti i ri nuk do të merret me çështjen e Kosovës”, ka thënë Vllasi.

Ai ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin këshillëdhënës të vitit 2010, të dhënë pas kërkesës së Serbisë, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Edhe ai (Shkoshiqi) po harron se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pikërisht duke vendosur sipas ankesës së Serbisë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pat konstatuar decidivisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as me Rezolutën 1244 të KS të KB”, ka deklaruar ai.

Vllasi ka shtuar se pretendimi kushtetues i Serbisë ndaj Kosovës ka vazhduar edhe pas ndryshimeve të mëdha politike dhe kushtetuese në ish-Jugosllavi.

“Edhe Shkoshiqi, sikur ata para tij, bëhen sikur po harrojnë se në Kushtetutën e Serbisë Kosova figuron si pjesë e saj, ashtu sikur në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Serbisë më 1990, ku e pat futur regjimi i Millosheviqit pas shkeljes së dhunshme të pozitës së atëhershme. Madje, atëherë u pat shkelur edhe Kushtetuta e Jugosllavisë, ku Kosova figurote si njësi federale”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, udhëheqja e re serbe do të përballet me probleme të shumta të brendshme, çka mund ta lërë çështjen e Kosovës në plan të dytë.

“Pushteti i ri në Serbi ka shumë punë dhe probleme të brëndshme sa që me çështjen e Kosovës pak do të merren”.

“Kosova duhet ta vazhdojë rrugën si shtet i pavarur”

Duke folur për atë se çfarë duhet të presë Kosova nga udhëheqja e re në Beograd, Vllasi ka thënë se vendi duhet ta vazhdojë rrugën e tij si shtet i pavarur dhe demokratik, pa pritur që ndryshimi i aktorëve politikë në Serbi të sjellë vetvetiu ndryshim të qëndrimit ndaj pavarësisë.

“Mos të zgjasim: Kosova duhet të vazhdojë rrugën e vet si shtet i pavarur, normal, demokratik, me standarde të botës demokratike. Edhe në Serbi e dinë se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e saj”, ka deklaruar ai.

Vllasi ka theksuar se Kosova duhet të ruajë një qëndrim dinjitoz shtetëror dhe të mbetet e hapur për dialog e marrëdhënie të mira me Serbinë, por ka thënë se normalizimi përfundimtar i marrëdhënieve është i mundur vetëm pas njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Jemi për dialog me Serbinë dhe dëshirojmë raporte të mira sikur me shtetet tjera të dala nga ish-Jugosllavia. Por finalja e dialogut dhe normalizim mund të ketë vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet”, ka thënë ai.

Burimi: Dukagjini