Dikur akuzonte Thaçin se po lobonte për ndarjen e Kosovës, tash Konjufca ia ndan 600 mijë dollarë kompanisë së njëjtë në SHBA

Dikur akuzonte Thaçin se po lobonte për ndarjen e Kosovës, tash Konjufca ia ndan 600 mijë dollarë kompanisë së njëjtë në SHBA

Written by

in

Dikur akuzonte Thaçin se po lobonte për ndarjen e Kosovës, tash Konjufca ia ndan 600 mijë dollarë kompanisë së njëjtë në SHBA

Glauk Konjufca, në kohën kur ishte deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, e kishte akuzuar ish-presidentin Hashim Thaçi se po shpenzonte para të qytetarëve për të lobuar për ndarjen e Kosovës. Nëntë vjet më vonë, tash në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme, Konjufca ka nënshkruar kontratë 600 mijë dollarëshe me kompaninë e njëjtë amerikane që ishte angazhuar nga Presidenca e Thaçit.

Bëhet fjalë për kompaninë amerikane “Ballard Partners”, me të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lidhur marrëveshje për shërbime lobimi dhe këshillimi strategjik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Insajderi.

Në vitin 2017, kur ishte shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Konjufca kishte kritikuar Thaçin për kontratën e lobimit dhe shpenzimin e parave publike.

“1.2 milion euro qytetarët kanë paguar për presidentin me u endë poshtë e përpjetë, jo me lobu për figurën e tij me libra personal, por edhe me lobu për ndarje të Kosovës”, kishte deklaruar Konjufca.

Ai kishte ngritur edhe çështjen e përdorimit të parave të taksapaguesve për këtë qëllim.

Në atë kohë, Presidenca e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, kishte angazhuar kompaninë “Ballard Partners” për shërbime lobimi në SHBA.

Sipas kontratës së atëhershme, marrëveshja kapte vlerën prej 1 milion e 248 mijë eurosh për dy vjet, ndërsa pagesa mujore ishte 52 mijë dollarë.

Kontrata e re, 600 mijë dollarë për një vit

Tash, e njëjta kompani është angazhuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me kontratë të nënshkruar nga ministri Glauk Konjufca.

Sipas dokumenteve të regjistruara në Departamentin amerikan të Drejtësisë, marrëveshja parasheh pagesën prej 50 mijë dollarësh në muaj, apo 600 mijë dollarë për një vit.

Kontrata është nënshkruar nga Konjufca më 11 tetor 2026, ndërsa nga presidenti i kompanisë, Brian Ballard, më 13 nëntor 2026. Ajo ka hyrë në fuqi më 15 nëntor dhe do të jetë aktive për një vit.

Pagesat do të kryhen në këste tremujore prej 150 mijë dollarësh. Përveç kësaj shume, marrëveshja parasheh edhe mbulimin e shpenzimeve të arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga Ministria.

Sipas dokumentit të dorëzuar në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), “Ballard Partners” do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane.

Fushëveprimi përfshin lobimin dhe avokimin pranë Qeverisë federale amerikane, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informuese, si dhe diskutimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Megjithatë, në kontratë nuk përcaktohen objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi