
Ndryshimet në strukturat udhëheqëse të Policisë së Kosovës kanë nxitur reagime dhe debate, ndërsa avokati Besnik R. Berisha ka dalë me një qëndrim të qartë: Policia ka nevojë për reforma të thella, por ndryshimet në pozita nuk duhet të shërbejnë si arsye për linçimin dhe etiketimin politik të zyrtarëve që kanë ndërtuar karrierën e tyre ndër vite.
“Policia është e shtetit, jo e pushtetit. Reformat janë të domosdoshme, linçimet jo!”, ka deklaruar Berisha, duke kërkuar më shumë maturi, objektivitet dhe drejtësi në vlerësimin e ndryshimeve.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka nevojë për reforma që shkojnë përtej zëvendësimit të emrave në pozita udhëheqëse, për më shumë profesionalizëm, meritokraci dhe përgjegjësi institucionale.
“Jo çdo ndryshim është domosdoshmërisht reformë, sikurse jo çdo emërim është dëshmi e ndikimit politik”, ka theksuar ai.
Berisha ka kundërshtuar etiketimin e menjëhershëm të drejtuesve të rinj si njerëz të pushtetit, duke kujtuar se shumë prej tyre kanë ushtruar detyra të rëndësishme shumë kohë përpara ardhjes së qeverisë aktuale.
“Nuk mund t’ua njohim njerëzve profesionalizmin për vite të tëra dhe t’ua mohojmë brenda natës, vetëm pse kanë marrë një pozitë gjatë mandatit të një qeverie që nuk na pëlqen”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se kjo nuk nënkupton mbështetje pa kushte për asnjë emërim. Përkundrazi, çdo vendim duhet t’u nënshtrohet kritereve të ligjshmërisë, meritës dhe integritetit, ndërsa dyshimet e bazuara për ndikim politik duhet të hetohen.
Berisha ka bërë thirrje që drejtuesve t’u kërkohen rezultate dhe llogaridhënie, në vend që të gjykohen paraprakisht sipas perceptimeve politike.
“Nuk mund të kërkojmë depolitizimin e Policisë, ndërkohë që vetë i gjykojmë policët përmes prizmit të politikës”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës, dallimi mes kritikës së ligjshme ndaj pushtetit dhe padrejtësisë ndaj individit është thelbësor për një debat të përgjegjshëm publik.
Ai ka rikujtuar se Policia e Kosovës është institucion i Republikës, i ndërtuar me kontributin e mijëra zyrtarëve ndër vite, dhe nuk mund të identifikohet me asnjë qeveri.
“Qeveritë janë të përkohshme, ndërsa institucionet janë të Republikës”, ka theksuar Berisha.
Reagimin e ka përmbyllur me një mesazh për rëndësinë e parimeve, veçanërisht kur ato kërkojnë mbrojtjen e njerëzve me të cilët nuk pajtohemi politikisht:
“Drejtësia nuk dëshmohet kur na duartrokasin, por kur kemi guximin ta mbrojmë edhe atëherë kur na kushton. Fundja, parimet që ndryshojnë sipas njerëzve dhe pushteteve nuk janë parime. Janë interesa!”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali