
Një konflikt familjar për kontaktet me fëmijët ka përfunduar me kërcënime serioze në Skenderaj, ku një 50-vjeçar dyshohet se i ka dërguar mesazhe kërcënuese ish-kunatës së tij në Instagram, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse ish-bashkëshortja vazhdon t’ia pamundësojë komunikimin me fëmijët, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 7 nëntor, rreth orës 20:00, ndërsa rasti është denoncuar në Polici nga një 24-vjeçare.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është A.S. (50), ndërsa denoncimin e ka bërë ish-kunata e tij, A.H.M. (24).
E reja ka deklaruar se, derisa ndodhej në shtëpi, kishte pranuar një mesazh në Instagram nga ish-bashkëshorti i motrës së saj.
Në mesazhin e denoncuar, i dyshuari i ishte drejtuar me fjalët:
“Thuaj motrës tënde të mos m’i ndalojë fëmijët të flas me ta. O për Zotin, do të bëhet gjaku deri në fyt. Unë dy ditë kam ardhur në Kosovë dhe shkoj prapë në Gjermani. E di ku jeton motra jote. Të lutem, ndale sa s’u bë gjaku deri në fyt.”
Pas denoncimit, Policia ka intervistuar 24-vjeçaren dhe të dy prindërit e saj, ndërsa ka nisur veprimet për lokalizimin e të dyshuarit.
Zyrtarët policorë e kanë kërkuar 50-vjeçarin në dy lokacione, por nuk kanë arritur ta gjejnë. Edhe përpjekjet për ta kontaktuar përmes telefonit kanë qenë të pasuksesshme.
Për rastin është njoftuar Prokuroria, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Kanosje”.
I dyshuari ka mbetur në kërkim policor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali