
Qendra e Shërbimeve e shoqatës “Down Syndrome Kosova” në Ferizaj po përballet me rrezikun e ndërprerjes së menjëhershme të veprimtarisë, si pasojë e dëmeve të mëdha të shkaktuara nga prishja e sistemit të kanalizimit në katin e sipërm të objektit.
Përmes një reagimi publik, përfaqësuesit e shoqatës bënë me dije se shqetësimet për kushtet e rënda dhe mungesën e sigurisë në këtë lokacion janë ngritur vazhdimisht te institucionet për më shumë se tri vjet, por pa marrë asnjë zgjidhje të qëndrueshme.
Përveç problemit me infrastrukturën në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani”, shoqata ka ngritur alarmin edhe për sigurinë e fëmijëve, duke evidentuar dukuri mjaft shqetësuese rreth hapësirave të tyre, përfshirë përdorimin e lëndëve narkotike, praninë e veprimtarive të prostitucionit dhe funksionimin e një poligoni qitjeje me armë në afërsi të drejtpërdrejtë.
Për këto arsye, organizata thotë se i ka kërkuar vazhdimisht Komunës së Ferizajt sigurimin e një objekti të ri. Megjithatë, sipas reagimit, deri më tani mbështetja e vetme ka qenë lehtësimi i një pjese të qirasë në vlerë prej 150 eurosh, që ka nisur të zbatohet nga tetori i vitit 2026.
Nga Down Syndrome Kosova kanë paralajmëruar se dëmet e shkaktuara nga incidenti i fundit mund ta pamundësojnë vazhdimin e shërbimeve dhe të çojnë deri te mbyllja e qendrës.
Për këtë situatë, ata i janë drejtuar Komunës së Ferizajt, kryetarit të Komunës dhe të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal, duke kërkuar angazhim konkret për sigurimin e një hapësire të përshtatshme dhe të sigurt për përfituesit e qendrës.
Në reagimin e tyre, organizata ka theksuar se sigurimi i shërbimeve dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve me sindromën Down janë përgjegjësi institucionale e Komunës së Ferizajt.
Njëkohësisht, kanë bërë thirrje edhe për mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe të njerëzve me vullnet të mirë, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve.
Burimi: Insajderi