Dogana e Kosovës ka njoftuar se të enjten në mbrëmje ka identifikuar 150 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare në Vërmicë.
“Rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë, drejtuesi i së cilës, pas pyetjes nga zyrtarët doganorë, ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të veturës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara. Fillimisht, drejtuesi i veturës ka deklaruar verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, ndërsa pas numërimit është konstatuar se bëhej fjalë për 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 euros”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka konfiskuar 37,500 euro ose 25% të mjeteve dhe 112 mijë e 500 euro ose 75% janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
“Lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve i Doganës së Kosovës, zyrtarët e të cilit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, me udhëzim të tij, drejtuesi i veturës dhe vetura janë liruar, ndërsa personi është obliguar të paraqesë dokumentacion mbështetës për të dëshmuar prejardhjen e mjeteve monetare”, thuhet në njoftim.
Burimi: RTKLive
