Dritat e veriut tërheqin turistë drejt Skandinavisë

Dritat e veriut tërheqin turistë drejt Skandinavisë

Written by

in

Një nga spektaklet më magjepsëse natyrore të planetit po tërheq vëmendjen e udhëtarëve nga e gjithë bota. Dritat e veriut, të njohura si Aurora Borealis, e kanë kthyer sezonin e vjeshtës dhe dimrit në një periudhë të veçantë për turizmin në vendet nordike.

Me netët që bëhen më të gjata dhe temperaturat që bien, destinacione si Tromsø në Norvegji, Laplanda në Finlandë dhe Abisko në Suedi janë ndër vendet e njohura për turistët që dëshirojnë të përjetojnë këtë fenomen natyror.

Aurora Borealis krijohet kur grimcat e ngarkuara elektrike nga Dielli ndërveprojnë me gazrat në atmosferën e Tokës, duke prodhuar valë drite me ngjyra të ndryshme, kryesisht të gjelbra, por edhe të kuqe, vjollcë dhe rozë.

Sipas informacioneve turistike të vendeve nordike, periudha nga tetori deri në mars është ndër më të përshtatshmet për të kërkuar dritat e veriut, pasi errësira e gjatë krijon kushte më të mira për vëzhgimin e tyre. Në Finlandë, sezoni mund të zgjasë nga fundi i gushtit deri në fillim të prillit.

Një prej destinacioneve më të kërkuara është Tromso, në veri të Norvegjisë, i cili ofron mundësi për ekskursione të organizuara në kërkim të aurorës, udhëtime me sajë të tërhequra nga qentë husky dhe përvoja në natyrën arktike. Qyteti është gjithashtu pikënisje për eksplorimin e fjordeve dhe fshatrave të vegjël të veriut.

Në Finlandë, Laplanda ofron një përvojë të veçantë përmes kabinave me çati prej xhami, ku vizitorët mund të qëndrojnë të shtrirë dhe të vëzhgojnë qiellin në pritje të dritave shumëngjyrëshe. Rovaniemi, qyteti i njohur edhe si vendlindja e Santa Claus-it, është një tjetër destinacion që tërheq familje dhe turistë gjatë sezonit të dimrit.

Ndërkohë, në Suedi, Abisko konsiderohet një prej vendeve të njohura për vëzhgimin e këtij fenomeni, falë pozitës së tij gjeografike dhe kushteve të favorshme të qiellit në periudha të caktuara.

Përveç aurorës, këto destinacione ofrojnë edhe aktivitete të tjera dimërore, si skijimi, shëtitjet me motorë bore, udhëtimet me sajë dhe qëndrimet në hotele të veçanta të rrethuara nga natyra arktike.

Megjithatë, udhëtarët duhet të kenë parasysh se shfaqja e dritave të veriut nuk mund të garantohet. Dukshmëria varet nga aktiviteti diellor, vranësirat dhe kushtet atmosferike. Për këtë arsye, rekomandohet që turistët të planifikojnë disa net qëndrimi dhe të kontrollojnë parashikimet lokale të motit dhe aktivitetit auroral.

Me peizazhet e mbuluara nga bora, netët polare dhe mundësinë për të parë një nga fenomenet më të veçanta të natyrës, Skandinavia mbetet një prej rajoneve më interesante për udhëtime gjatë sezonit dimëror.

Burimi: Dukagjini