Arsenali po planifikon të jetë aktiv në afatin kalimtar të janarit, me trajnerin Mikel Arteta që ka identifikuar repartin ofensiv si prioritet për përforcime, në përpjekje për të vazhduar garën për titullin e Ligës Premier dhe për të synuar suksesin në Ligën e Kampionëve.
Sipas raportimeve të gazetës The Mirror, drejtuesit e klubit londinez po shqyrtojnë disa mundësi për ta rritur konkurrencën dhe thellësinë në repartin ofensiv.
Njëri prej emrave që ka tërhequr vëmendjen e Arsenalit është sulmuesi i Bournemouthit, Junior Kroupi. Megjithatë, transferimi i tij në mes të sezonit nuk pritet të jetë i lehtë, pasi klubi aktual nuk dëshiron ta humbasë futbollistin gjatë janarit.
Interesim për talentin e ri raportohet të kenë edhe Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, çka mund ta bëjë garën për shërbimet e tij edhe më të vështirë.
Në listën e dëshirave të Artetës vazhdon të jetë edhe Kenan Yildiz. Sulmuesi anësor i Juventusit është një tjetër profil që pëlqehet nga drejtuesit e Arsenalit, të cilët po vlerësojnë mundësitë për ta transferuar.
Megjithatë, Arteta nuk kërkon vetëm një futbollist për një pozitë të caktuar. Trajneri spanjoll dëshiron një sulmues të gjithanshëm, i cili mund të luajë në disa pozicione të ndryshme në repartin ofensiv.
Një prej prioriteteve të veçanta është përforcimi i krahut të majtë të sulmit, një zonë ku Arsenali synon të ketë më shumë alternativa dhe cilësi.
Klubi londinez kishte tentuar gjatë verës të realizonte transferimet e Morgan Rogers dhe Vinicius Junior, por asnjëra prej këtyre lëvizjeve nuk u konkretizua.
Për këtë arsye, drejtuesit e Arsenalit po shqyrtojnë mundësi të reja, me synimin që skuadra të mos e humbasë ritmin në garën për trofe.
Sipas raportimit, Arteta e konsideron të domosdoshëm afrimin e përforcimeve në janar dhe jo thjesht një mundësi shtesë për skuadrën./Telegrafi/