Dy partitë që mund ta qeverisin Spanjen dhe qëndrimi i tyre në raport me Kosovën

Dy partitë që mund ta qeverisin Spanjen dhe qëndrimi i tyre në raport me Kosovën

Written by

in

Dy partitë që mund ta qeverisin Spanjen dhe qëndrimi i tyre në raport me Kosovën

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Spanjë kanë nxjerrë në pah mundësinë e formimit të një qeverie nga dy partitë e djathta, Partia Popullore (PP) dhe partia e ekstremit të djathtë Vox.

Ky zhvillim është me interes edhe për Kosovën, pasi të dyja partitë kanë mbajtur qëndrim kundër njohjes së pavarësisë së saj.

Sipas rezultateve preliminare të numërimit të votave, PP-ja e udhëhequr nga Alberto Núñez Feijóo ka dalë partia e parë, ndërsa Vox-i, me në krye Santiago Abascalin, ka siguruar një numër të konsiderueshëm ulësesh në parlament.

Me rreth 77 për qind të votave të numëruara, dy partitë së bashku, përfshirë edhe aleatin UPN-PP, kanë arritur në 186 ulëse, duke kaluar pragun prej 176 deputetësh që nevojiten për shumicën parlamentare në Kuvendin prej 350 vendesh. Nëse ky rezultat konfirmohet, PP-ja do të mund të formojë qeverinë me mbështetjen e Vox-it, duke i dhënë fund qeverisjes tetëvjeçare të socialistit Pedro Sánchez.

Qëndrimi i PP-së dhe Vox-it për Kosovën

Qëndrimi i këtyre dy partive ndaj Kosovës është bërë i qartë në qershor të vitit 2024, kur në Kongresin e Deputetëve të Spanjës u shqyrtua një propozim i partisë katalunase Junts për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në atë rast, PP-ja, Vox-i dhe Partia Socialiste (PSOE) votuan kundër propozimit që i kërkonte Qeverisë spanjolle ta njihte Kosovën. Nisma nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare.

Spanja vazhdon të jetë një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, krahas Greqisë, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë.

Edhe qeveria e Pedro Sánchezit, pavarësisht orientimit të saj socialist, nuk e kishte ndryshuar këtë qëndrim. Në një përgjigje zyrtare të vitit 2021, Qeveria spanjolle kishte deklaruar se nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës të vitit 2008, ndërsa kishte kërkuar zgjidhjen e çështjes përmes dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. /insajderi.org/

Burimi: Insajderi