
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britani të Madhe, nën dyshimin për hyrje të paligjshme në pronën private të Princit William dhe Princeshës Kate.
Bëhet fjalë për Mirgen Dokun dhe Arilen Ndocin, të cilët dyshohet se kanë hyrë në territorin e rezidencës Anmer Hall, që ndodhet brenda kompleksit mbretëror Sandringham Estate, në Norfolk.
Ngjarja është zbuluar mbrëmjen e 23 nëntorit, pasi policia kishte pranuar një sinjalizim për praninë e personave të dyshimtë në pronën mbretërore.
Autoritetet britanike ndërmorën një operacion të gjerë kërkimi, duke angazhuar njësi policore, qen nuhatës, dronë dhe një helikopter.
Operacioni përfundoi me arrestimin e dy shqiptarëve brenda territorit të rezidencës.
Njëri prej të arrestuarve dyshohet se qëndronte në mënyrë të parregullt në Britani, ndërsa për statusin e qëndrimit të personit tjetër nuk janë bërë të ditura detaje.
Doku dhe Ndoci vazhdojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa autoritetet britanike po hetojnë rrethanat dhe motivet e hyrjes së tyre në pronën mbretërore.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali