
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit A.S., i cili dyshohet për veprat penale të dhunimit, armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes.
I njëjti ishte arrestuar në Francë pas lëshimit të urdhërarrestit ndërkombëtar dhe është ekstraduar në Kosovë gjatë ditës së djeshme.
Ai ndodhet tashmë në masën e ndalimit me vendim të Prokurorit të Shtetit.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 19 korrik 2024, rreth orës 12:00, në shtëpinë e tij në Ferizaj, pasi e dëmtuara A.S., me djalin e axhës L.S., shkon tek prindërit e të pandehurit për ti marr fëmijët të cilët ishin në vizitë, ky i fundit me revole në dorë detyron të dëmtuarën që të hyjë brenda, ku shtinë me armë disa herë në tokë, ku pasi hyjnë brenda, i njëjti godet të dëmtuarën me shuplakë dhe disa herë e kap për flokë si dhe e godet me shkelm në bark, dhe ndërkohë me dhunë pa pëlqimin e saj kryen marrëdhënie seksuale,- me çka kreu veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.4 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, i dyshuari pa autorizim, kishte përdorur armën për të frikësuar viktimën dhe një person tjetër, si dhe kishte kanosur këtë të fundit me vrasje në rast se nuk ia sillte dokumentet dhe nëse e lajmëronte rastin në polici.
Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe kishte qëndruar jashtë territorit të Kosovës, deri në arrestimin e tij në Francë dhe ekstradimin në vend.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tij, ndërsa për rastin pritet të vendosë Gjykata Themelore në Ferizaj. /Klankosova.tv