
Avokatja Adelina Hoxha Shabani, e cila kishte përfaqësuar Arlinda Sylaj Zekajn në rastet e dhunës në familje, ka folur për Gazetën Sinjali pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës. Ajo ka treguar se viktima i kishte shprehur frikën se do ta vrisnin.
“E di që kanë me më vra mu, këta kanë me më vra”, janë fjalët që, sipas avokates, Arlinda ia kishte thënë para ngjarjes tragjike.
Duke ngritur akuza për mënyrën e trajtimit të rastit, Hoxha Shabani është shprehur: “Kryeprokurorja ka dështuar, sistemi i drejtësisë ka dështuar.”
Këto deklarime vijnë pas vrasjes së 49-vjeçares, mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor 2026, në rrugën “Man Dedushaj” në Vitomiricë.
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e të dyshuarit për vrasjen. Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Albert Sylajn, kunatin e viktimës, i cili dyshohet se e ka goditur me sëpatë në kokë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Rrethanat bëhen edhe më tronditëse nga informacionet se Arlinda kishte denoncuar dhunë në familje vetëm pak kohë para vrasjes.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 19:00 ajo ishte shoqëruar nga një patrullë në Stacionin Policor në Pejë, ku ishte intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje. Rreth orës 20:58, e njëjta patrullë e kishte kthyer në shtëpi.
Vetëm rreth dhjetë minuta pas largimit të policëve, në stacion kishte mbërritur informacioni për një vrasje në të njëjtën adresë.
Kur patrulla ishte kthyer, Arlinda ishte gjetur pa shenja jete në dhomën e gjumit. Ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e saj.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari ishte larguar me një veturë Golf 3, me ngjyrë të kuqe. Në momentin e raportimit fillestar, vendndodhja e tij nuk dihej.
Rasti ka mobilizuar hetuesit rajonalë të Policisë në Pejë, ndërsa rrethanat e vrasjes po hetohen.
Deklarata e avokates se viktima kishte paralajmëruar rrezikun për jetën e saj ngre pyetje serioze për trajtimin e denoncimeve dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e Arlindës. Pretendimet për dështim institucional kërkojnë sqarim nga institucionet përgjegjëse.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali