Të njëjtët zyrtarë që, sipas analistit Imer Mushkolaj, kanë dështuar në përgjegjësitë e tyre qeveritare, nuk mund të jenë zgjidhja për përmirësimin e situatës.
Kështu ka deklaruar ai në Debat Plus, duke kritikuar Donika Gërvallën në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe Xhelal Sveçlën në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Mushkolaj ka vënë në pikëpyetje emërimin e Gërvallës në dikasterin e drejtësisë, pas asaj që ai e konsideron performancë të dobët gjatë drejtimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Qysh është e mundshme që zonja Gërvalla, totalisht e dështuar, kallxojnë statistikat, puna ose mospuna e saj si ministre e Jashtme, e ta bijnë ministre të Drejtësisë. Qysh është e mundshme kjo punë?”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ai ka thënë se qytetarëve u intereson përgjegjësia politike dhe jo ruajtja e koalicionit qeverisës.
“Ku më intereson mua si qytetar se nëse po u shkarkojka Donika Gërvalla po iu prishka koalicioni Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Kritikat e tij i ka shtrirë edhe ndaj Sveçlës, duke thënë se si të njëjtit zyrtarë që, sipas tij, nuk kanë treguar rezultate deri tash mund të marrin përsipër përmirësimin e gjendjes.
“Qysh e njëjta dështake, i njëjti dështak tash dëshirojnë ta përmirësojnë situatën, këtë nuk e kuptoj”, ka deklaruar Mushkolaj.
Burimi: Dukagjini
