Macet njihen si kafshë që e duan rutinën, prandaj çdo ndryshim i papritur në sjelljen e tyre mund t’i shqetësojë pronarët.
Fshehja e shpeshtë, mjaullitja e pazakontë, kërkimi i vazhdueshëm i afërsisë apo nervozizmi mund të kenë arsye të ndryshme.
Disa prej këtyre sjelljeve janë krejtësisht normale dhe lidhen me karakterin e maces, ndërsa të tjerat mund të tregojnë stres, dhimbje ose ndonjë problem shëndetësor.
Foto ilustruese
Një nga arsyet që mund të ndikojë në sjelljen e tyre është macja e njomë (catnip), një bimë ndaj së cilës disa mace reagojnë duke u rrotulluar, fërkuar nëpër objekte, vrapuar apo duke u bërë më lozonjare.
Reagimi ndryshon nga një mace te tjetra, ndërsa rreth 40 për qind e tyre nuk ndikohen fare nga kjo bimë.
Po ashtu, ndryshimet në ambient, si ardhja e mysafirëve, një kafshë e re në shtëpi, zhvendosja e mobilieve apo zhurmat e pazakonta, mund t’i bëjnë macet të ndihen të pasigurta.
Edhe humbja e një kafshe tjetër apo e një personi me të cilin kanë pasur lidhje të afërt mund të ndikojë në sjelljen e tyre.
Në raste të tilla, disa mace bëhen më të tërhequra, fshihen, humbin oreksin ose kërkojnë më shumë vëmendje.
Ndërkohë, mungesa e lojës dhe stimulimit mund të shkaktojë mërzi, shqetësim dhe sjellje destruktive.
Ndryshime të tjera lidhen edhe me hormonet, veçanërisht te macet që nuk janë sterilizuar, të cilat gjatë periudhës së çiftëzimit mund të mjaullijnë më shumë, të bëhen të shqetësuara dhe të tentojnë të dalin jashtë.
Megjithatë, një ndryshim i papritur në sjellje mund të jetë edhe shenjë e ndonjë sëmundjeje.
Fshehja, nervozizmi, mungesa e oreksit, ndryshimet në konsumimin e ujit, vështirësitë gjatë urinimit apo lëvizjet e pazakonta nuk duhen neglizhuar.
Edhe kruarja e shpeshtë, tundja e kokës dhe pastrimi i tepërt i trupit mund të tregojnë probleme që kërkojnë kontroll veterinar.
Disa simptoma kërkojnë reagim të menjëhershëm, si vështirësitë në frymëmarrje, pamundësia për të urinuar, krizat, humbja e papritur e energjisë apo ecja në rrathë.
Prandaj, është e rëndësishme që pronarët të vëzhgojnë jo vetëm sjelljen e maces, por edhe oreksin, energjinë dhe rutinën e saj të përditshme.
Nëse ndryshimet vazhdojnë, përkeqësohen ose shoqërohen me simptoma të tjera, këshillohet konsultimi me veterinerin. /Telegrafi/