
Një rast i rëndë i dyshuar i dhunimit të një vajze vetëm 13-vjeçare ka vënë në lëvizje hetuesit policorë në Prizren, të cilët kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar, ndërsa për viktimën e mitur janë ndërmarrë masa të menjëhershme mbrojtëse.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është trajtuar më 27 tetor, pasi vajza është gjetur nga hetuesit rajonalë dhe është shoqëruar në ambientet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren.
Atje, në prani të prindërve dhe një punonjësi të Qendrës për Punë Sociale, e mitura ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që dyshohet se kishte ndodhur në një lokacion të paidentifikuar në Pejë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vajza ka deklaruar se kishte qenë në shoqërinë e një personi me të cilin kishte pasur marrëdhënie seksuale, rrethana që kanë çuar në nisjen e hetimeve për veprën penale “Dhunimi”.
Hetuesit kanë arritur ta identifikojnë dhe lokalizojnë të dyshuarin, V.G., i lindur në vitin 2008, i cili është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, për vajzën 13-vjeçare janë ndërmarrë veprime të veçanta për mbrojtjen dhe trajtimin e saj. Ajo është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim dhe më pas është vendosur në strehimore.
Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, ndërsa autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.
Identiteti i viktimës së mitur mbetet i mbrojtur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali