Ekipet mjeko-ligjore rikthehen në veri të vendit: Gara konfirmon për Sinjalin gërmimet e reja në varrezat e Mitrovicës së Veriut dhe tre lokacione të tjera

Ekipet mjeko-ligjore rikthehen në veri të vendit: Gara konfirmon për Sinjalin gërmimet e reja në varrezat e Mitrovicës së Veriut dhe tre lokacione të tjera

Written by

in

Ekipet mjeko-ligjore rikthehen në veri të vendit: Gara konfirmon për Sinjalin gërmimet e reja në varrezat e Mitrovicës së Veriut dhe tre lokacione të tjera

Pas përmbylljes së gërmimeve vlerësuese në Brod të Shtërpcës, ku u gjetën dhe u zhvarrosën mbetjet mortore të një personi, ekipet mjeko-ligjore pritet të nisin punën në të paktën katër lokacione të tjera nëpër Kosovë, disa prej të cilave do të hulumtohen për herë të parë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili ka bërë të ditur se fokusi i radhës do të jetë edhe në veri të vendit, konkretisht në varrezat e qytetit në Mitrovicën e Veriut.

Në Brod të Shtërpcës, pavarësisht informacioneve ekzistuese, tentativa e parë ishte mbyllur pa rezultat për shkak të kushteve të vështira të terrenit. Mirëpo, rikthimi i ekipeve gjashtë ditë më vonë rezultoi me gjetjen e mbetjeve eshtërore që dyshohet se i përkasin një viktime të luftës së fundit në Kosovë.

Paraprakisht, për gati një muaj, gërmime intensive janë zhvilluar edhe në fshatrat Kalludër dhe Jabukë të Komunës së Zubin Potokut.

Duke folur për Sinjalin rreth planit të punës dhe rikthimit të ekipeve në pjesën veriore, Gara ka listuar lokacionet kryesore që mbeten në agjendën e Komisionit.

“Një nga lokacionet që potencialisht do ta kemi në agjendë është ai i varrezave të qytetit në Mitrovicë, më saktësisht varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës rrugës për Zveçan. Pavarësisht gërmimeve të mëparshme, ky lokacion, por edhe lokacione të tjera, si varrezat në Arbëri të Prishtinës, në Tusuz të Prizrenit dhe në Brekoc të Gjakovës, si dhe varrezat e qyteteve të tjera, vazhdojnë të mbeten lokacione me interes për procesin e kërkimit të personave të zhdukur me dhunë”, ka deklaruar Gara për Sinjalin.

Ai ka shpjeguar se interesimi i vazhdueshëm për këto zona lidhet me faktin se varrezat e qyteteve janë përdorur nga forcat serbe gjatë luftës për të fshehur trupat e viktimave dhe për të humbur gjurmët e krimeve.

“Kjo bëhet për shkak të mundësisë së pranisë së mbetjeve mortore të viktimave të luftës, duke pasur parasysh se lokacione të tilla janë shfrytëzuar nga forcat serbe gjatë luftës për fshehjen e trupave të viktimave dhe gjurmëve të krimeve të kryera”, tha Gara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali