
“Detyra: vrasja e vëllezërve Haradinaj”. Kjo është fjalia e shkruar në përshkrimin e një profili në Facebook, që ka përfunduar në duart e Policisë dhe Prokurorisë Speciale, pas një denoncimi për kanosje dhe nxitje të urrejtjes.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 29 tetor, K.Xh, përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është paraqitur në Stacionin Policor Qendra, ku ka raportuar ekzistencën e një profili në rrjetin social Facebook, përmbajtja e të cilit ka ngritur shqetësime serioze.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për një profil aktiv me emrin “Besim Kelmendi”, në përshkrimin e të cilit figuron mesazhi:
“Detyra: vrasja e vëllezërve Haradinaj”.
Pikërisht ky mbishkrim është bërë shkak për denoncimin në Polici, pasi raportuesi e ka konsideruar përmbajtjen kërcënuese dhe nxitëse të urrejtjes.
Por çështja nuk ka mbetur vetëm te raportimi policor.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
K.Xh është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa hetimet tashmë janë përqendruar në identifikimin e personit që qëndron pas profilit në Facebook.
Identiteti i përdoruesit që e administron profilin ende nuk është konfirmuar, ndaj mbetet të përcaktohet se kush e ka publikuar mesazhin dhe në çfarë rrethanash.
Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë autorësinë dhe përgjegjësinë eventuale penale për përmbajtjen e publikuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali