Ekskluzive | E ekspozoi pushkën në TikTok, Policia ia kontrollon shtëpinë 20-vjeçarit në Kamenicë – i sekuestrohet arma me 18 fishekë

Ekskluzive | E ekspozoi pushkën në TikTok, Policia ia kontrollon shtëpinë 20-vjeçarit në Kamenicë – i sekuestrohet arma me 18 fishekë

Written by

in

Ekskluzive | E ekspozoi pushkën në TikTok, Policia ia kontrollon shtëpinë 20-vjeçarit në Kamenicë – i sekuestrohet arma me 18 fishekë

Një pushkë gjuetie e ekspozuar në rrjetin social TikTok ka çuar Policinë në shtëpinë e një 20-vjeçari në fshatin Koretin të Kamenicës. Gjatë kontrollit është sekuestruar arma së bashku me 18 fishekë, ndërsa i riu ka përfunduar nën hetime për posedim të paautorizuar të armëve, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është Erdi Maka, rreth 20-vjeçar, në shtëpinë e të cilit njësia hetimore e Policisë në Kamenicë ka realizuar kontroll të martën, më 10 nëntor, në bazë të një urdhri të autorizuar nga Prokuroria.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur një pushkë gjuetie, një karikator dhe 18 fishekë të kalibrit 12 GA.

Nga verifikimet ka rezultuar se arma ishte raportuar në Zyrën e Regjistrimit të Armëve dhe për të ekzistonte dokumentacioni përkatës, por leja ende nuk ishte lëshuar nga autoriteti kompetent.

Pavarësisht kësaj, arma ishte ekspozuar në TikTok, ndërsa pas njoftimit për rrethanat e rastit, Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e saj.

20-vjeçari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe, me udhëzim të Prokurorisë, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali