
Agim Bytyqi, i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se ndalimi u bë më 16 nëntor, me urdhër të prokurorit të shtetit, pas disa muajsh hetime në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një kontrate të falsifikuar për shitblerje, me qëllim që të siguronte përfitim të kundërligjshëm për vete dhe për persona të tjerë.
Hetimet lidhen me regjistrimin e një prone banesore prej 55,89 metrash katrorë në Matiçan. Sipas njoftimit, prona ishte regjistruar në Zyrën Kadastrale në Prishtinë në emër të M.B., shtetas i Serbisë, i cili, sipas Prokurorisë, ndodhet në arrati.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do t’i kërkojë gjykatës caktimin e masës së paraburgimit ndaj Bytyqit.
Shënim: Personat e apostrofuar prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali