
Një BMW me ngjyrë hiri është ndaluar nga njësitet antidrogë në dalje të autostradës në Doganaj të Kaçanikut, ku gjatë kontrollit të pasagjerit është zbuluar një qese me substancë të dyshuar kokainë. Ndërhyrja policore ka përfunduar me sekuestrimin e narkotikëve dhe inicimin e rastit penal, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi të cilit iu gjet substanca është Çlirim Salihu, rreth 27 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 17 nëntor, rreth orës 21:30, kur hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, në bashkëpunim me hetuesit dhe patrullën e Stacionit Policor në Kaçanik, kanë ndaluar për kontroll një veturë BMW.
Policia kishte dyshime se personat që ndodheshin në automjet mund të posedonin substanca narkotike.
Gjatë kontrollit trupor të pasagjerit, Çlirim Salihu, është gjetur dhe sekuestruar një qese najloni me substancë të dyshuar kokainë, me peshë të përgjithshme prej 3.6 gramësh.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të shoferit dhe automjetit nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, drejtuesi i automjetit ishte Valdrin Selimi, rreth 28 vjeç.
Pas sekuestrimit të substancës, është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Me udhëzim të Prokurorisë, Çlirim Salihu është liruar pas përfundimit të procedurave policore, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Substanca e dyshuar kokainë është sekuestruar si provë materiale.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali