
Komuna e Drenasit ka paralajmëruar qytetarët për erëra të forta që pritet të përfshijnë territorin e kësaj komune të enjten, më 19 nëntor 2026.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), erërat do të fryjnë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë.
Ndërkaq, gjatë hovëve, shpejtësia e erës mund të jetë edhe më e madhe.
Për të parandaluar incidentet dhe për të mbrojtur qytetarët dhe pronën, komuna ka bërë thirrje që të merren masa paraprake.
Qytetarëve u rekomandohet të sigurojnë sendet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të jashtme, të kontrollojnë tabelat reklamuese, skelat dhe strukturat e tjera që mund të rrëzohen nga era.
Po ashtu, kërkohet të shmanget qëndrimi pranë drunjve dhe objekteve të paqëndrueshme, si dhe të tregohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit rrugor, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj erërave.
Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta përcjellë situatën dhe, sipas nevojës, do t’i informojë qytetarët për zhvillimet e mëtejshme.
Burimi: Insajderi