
Një aheng familjar në restorantin “Grandis ABI” në Klinë është kthyer në objekt të hetimeve policore, pasi në një video të siguruar nga autoritetet shihet një person duke shtënë me armë zjarri brenda lokalit. Hetuesit kanë arritur ta identifikojnë personin e dyshuar, i cili rezulton të jetë shtetas amerikan dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Zjef Marku, rreth 53 vjeç.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 31 tetor, gjatë një ahengu familjar të organizuar në restorantin “Grandis ABI” në Klinë.
Por rasti ka dalë në pah më 16 nëntor, kur Stacioni Policor në Klinë ka pranuar përmes rrugëve zyrtare një video-incizim, në të cilin shihet një person duke shtënë me armë zjarri.
Pas analizimit të pamjeve dhe veprimeve hetimore, Policia ka arritur ta identifikojë personin që dyshohet se kishte shtënë brenda restorantit.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, bëhet fjalë për një shtetas amerikan, i cili jeton dhe vepron në SHBA, ndërsa dyshohet se ka prejardhje nga fshati Marmullë i Gjakovës.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka intervistuar edhe pronarin e restorantit “Grandis ABI”.
Ai ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni për të shtënat dhe se nuk kishte vërejtur ndonjë provë apo rrethanë që lidhej me incidentin.
Po ashtu, sipas deklarimit të tij, nuk kishte informacione për adresën e personit të dyshuar në Kosovë.
Pas identifikimit të të dyshuarit, rasti i është referuar Prokurorit të Shtetit.
Me udhëzim të Prokurorisë, janë iniciuar hetimet për dy vepra penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Policia ende nuk e ka siguruar praninë e të dyshuarit për intervistim, ndërsa Prokuroria ka udhëzuar që të njoftohet pas lokalizimit të tij për procedurat e mëtejshme.
Nga informacionet e deritanishme nuk rezulton se gjatë incidentit ka pasur persona të lënduar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali