Ekskluzive | U rrah brutalisht dhe pati të shtëna me armë në Vushtrri – dorëzohet i dyshuari për tentimvrasje, tregon ku e kishte fshehur pistoletën

Ekskluzive | U rrah brutalisht dhe pati të shtëna me armë në Vushtrri – dorëzohet i dyshuari për tentimvrasje, tregon ku e kishte fshehur pistoletën

Written by

in

Ekskluzive | U rrah brutalisht dhe pati të shtëna me armë në Vushtrri – dorëzohet i dyshuari për tentimvrasje, tregon ku e kishte fshehur pistoletën

Një muaj pas ngjarjes së rëndë në Vushtrri, ku një i ri përfundoi me lëndime serioze pas një sulmi fizik, të shoqëruar edhe me të shtëna me armë zjarri, është dorëzuar në Polici njëri nga të dyshuarit që ishte në kërkim për rastin e cilësuar si “Vrasje në tentativë”.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Bekim Maxhuni, 28 vjeçar është vetëdorëzuar më 28 tetor te hetuesit rajonalë në Mitrovicën e Jugut, ndërsa gjatë intervistimit ka treguar edhe vendin ku kishte fshehur një pistoletë që dyshohet të jetë përdorur në incident.

Ngjarja kishte ndodhur më 30 shtator, rreth orës 00:45, në rrugën “Xhavit Mulaku” në Vushtrri, afër vendit të njohur si “Ura e Hekurit”.

Atë natë, Policia ishte njoftuar se një person ndodhej i lënduar në atë zonë. Në vendngjarje, zyrtarët policorë kishin gjetur L.L, 27 vjeçar, të gjakosur në fytyrë, i cili kishte deklaruar se ishte sulmuar nga disa persona të panjohur me mjete të forta dhe se njëri prej tyre kishte shtënë disa herë me armë në ajër.

Si pasojë e sulmit, viktima kishte pësuar lëndime në kokë, thyerje të hundës dhe fraktura në gishta të të dyja duarve. Pas trajtimit fillestar në Vushtrri, ai ishte transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

Në vendngjarje ishte gjetur edhe një veturë VW Caddy, e dëmtuar pas përplasjes me një shtyllë të ndriçimit publik. Policia kishte sekuestruar katër gëzhoja, një karikator me pesë fishekë dhe një fishek tjetër që ndodhej brenda automjetit.

Njëri i dyshuar në paraburgim, tjetri dorëzohet dhe zbulon armën

Hetimet kishin çuar fillimisht te Naim Maxhuni (57), i cili ishte paraqitur në Polici më 7 tetor dhe ishte intervistuar nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.

Pas ndalimit fillestar, më 9 tetor, Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte caktuar atij masën e paraburgimit prej një muaji.

Ndërkohë, Bekim Maxhuni, i cili ishte në kërkim policor, është vetëdorëzuar më 28 tetor.

Burimet e Sinjalit zbulojnë se gjatë intervistimit, ai u ka treguar hetuesve vendin ku kishte fshehur një pistoletë dhe një fishek.

Hetuesit kanë shkuar në lokacionin e treguar dhe kanë sekuestruar armën, një pistoletë “Crvena Zastava”, model 70, e kalibrit 7.65 mm, e prodhimit jugosllav, së bashku me një fishek.

Pistoleta dyshohet se është përdorur gjatë incidentit të 30 shtatorit, ndërsa kjo mbetet të vërtetohet përmes hetimeve dhe ekzaminimeve përkatëse.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ndaj Bekim Maxhunit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti vazhdon të hetohet si “Vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali