
Një konflikt mes bashkëshortëve në Carrabreg të Epërm të Deçanit ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe konfiskimin e një arme të gjatë AK-47, pasi një grua denoncoi bashkëshortin e saj për dhunë psikike.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 28 tetor, rreth orës 11:40, kur gruaja, R.H., ka kërkuar ndihmën e Policisë pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, I.T.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gruaja ka deklaruar se bashkëshorti kishte hyrë në dhomën e fëmijëve, ku ajo ishte mbyllur me çelës, dhe i kishte kërkuar t’ia jepte disa stoli ari. Pas refuzimit të saj, ajo kishte njoftuar menjëherë Policinë.
Gjatë intervistimit, gruaja ka deklaruar se marrëdhëniet bashkëshortore kishin filluar të përkeqësoheshin që nga dhjetori i vitit të kaluar, ndërsa kohëve të fundit, sipas saj, bashkëshorti kishte ushtruar dhunë psikike duke e penguar të punonte në profesionin e saj dhe të vizitonte familjarët.
Ajo ka sqaruar se nuk kishte përjetuar dhunë fizike dhe se bashkëshorti kujdesej për nevojat e familjes. Gjithashtu, ka refuzuar trajtimin mjekësor, duke deklaruar se nuk kishte lëndime, ndërsa me dëshirën e saj është kthyer në shtëpi pranë fëmijëve.
Në anën tjetër, i dyshuari i ka mohuar akuzat e bashkëshortes, duke deklaruar se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe se kishte kërkuar vetëm unazën e fejesës, të cilën, sipas tij, e kishte humbur.
Por gjatë intervistimit në Polici, rasti ka marrë një tjetër zhvillim.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se burri ka deklaruar vullnetarisht se në shtëpi mbante një armë të gjatë AK-47, të cilën, sipas tij, e kishte trashëguar nga babai i ndjerë që nga koha e luftës.
Ai ka shprehur gatishmërinë për ta dorëzuar armën, ndërsa pas kontrollit të shtëpisë, Policia ka konfiskuar kallashnikovin dhe një karikator të zbrazët.
Lidhur me rastin janë iniciuar procedurat për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali