EKSKLUZIVE | “Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime” – letra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej

EKSKLUZIVE | “Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime” – letra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej

Written by

in

EKSKLUZIVE | “Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime” – letra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”

Këto fjalë i shkroi Arlinda Sylaj Zekaj në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra mizorisht në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ndërsa për krimin dyshohet kunati i saj.

Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht letrën e Arlindës, përmes së cilës ajo kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave.

Letra, e adresuar për Kryeprokuroren dhe e shënuar si urgjente, përmban një paralajmërim tronditës për rrezikun që viktima ndiente ndaj jetës së saj.

Në të, ajo kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Arlinda kishte kërkuar gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.

“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, përpara se të shprehte frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.

Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar edhe fjalët:

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”

Tri ditë pas pranimit të kësaj letre në Prokurori, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.

Tragjedia ndodhi në rrethana edhe më shqetësuese, pasi atë mbrëmje Arlinda ishte paraqitur në Polici si viktimë e dhunës në familje.

Ajo ishte intervistuar nga hetuesit dhe rreth orës 20:58 ishte kthyer në shtëpi nga patrulla policore. Vetëm rreth dhjetë minuta më vonë, Policia u njoftua për vrasjen.

Sipas informacioneve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, dyshohet se e kishte goditur me sëpatë në kokë.

Letra e siguruar nga Sinjali ngre pyetje serioze për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar paralajmërimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje.

A ishte ekzekutuar urdhri gjyqësor për të cilin ajo kishte kërkuar ndërhyrje? Çfarë veprimesh ishin ndërmarrë pas pranimit të letrës? A ishte vlerësuar rreziku për jetën e saj dhe cilat masa ishin marrë për sigurinë e saj?

Këto janë pyetje për të cilat institucionet përgjegjëse duhet të japin sqarime.

Dokumenti nuk dëshmon vetvetiu përgjegjësi penale apo disiplinore të ndonjë zyrtari, por dëshmon se Arlinda kishte ngritur shqetësime konkrete për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar veprim institucional para se të vritej.

Ajo kishte shkruar se druhej nga dita kur institucionet do të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta. Tri ditë më vonë, Arlinda nuk ishte më gjallë.

Gazeta Sinjali do të kërkojë përgjigje nga institucionet kompetente për trajtimin e kësaj letre dhe masat që ishin ndërmarrë para vrasjes së saj.

Burimi: Sinjali