
Paralajmërim: Ky artikull përmban pamje eksplicite që mund të jenë shqetësuese.
Një ekspert i mjekësisë ligjore ka dalë me një analizë të re, sipas së cilës financieri amerikan Jeffrey Epstein mund të jetë vrarë në qelinë e tij në burg, duke vënë në pikëpyetje përfundimin zyrtar se ai i dha fund jetës vetë.
Dr. Michael Freeman, kryeredaktor i revistës shkencore “Journal of Forensic and Legal Medicine”, ka analizuar për disa muaj fotografi, dokumente të autopsisë dhe materiale të tjera që iu siguruan nga vëllai i Epsteinit, përcjell Insajderi.
Pas shqyrtimit të tyre, Freeman ka arritur në përfundimin se lëndimet në trupin e financierit nuk përputhen me një vetëvarje, por sipas tij, janë më shumë në përputhje me një vrasje përmes mbytjes, raporton CBS News.
Epstein u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në një burg federal në Manhatan të Nju Jorkut. Një ditë më vonë, Zyra e Mjekësisë Ligjore e Nju Jorkut konstatoi se ai kishte kryer vetëvrasje.
Një pjesë e shkëputur nga një fotografi e Zyrës së Kryemjekut Ligjor të qytetit të Nju Jorkut, që shfaq plagë të shkaktuara nga një lidhëse në qafën e Jeffrey Epstein-it.
Freeman, i cili i prezantoi të hënën në Londër gjetjet e analizës së tij, ka bashkëpunuar edhe me profesorin e mjekësisë ligjore Anders Eriksson dhe studiuesin Itiel Dror, i cili merret me ndikimin e paragjykimeve në vendimmarrjen mjeko-ligjore.
Sipas Freeman, fotografitë e trupit të Epsteinit tregojnë dy shenja të ndryshme në qafë, të cilat, sipas tij, nuk mund të shpjegohen me mekanizmin e një vetëvarjeje.
Ai ka vënë në pah edhe lëndime të tjera, përfshirë dëmtime në shpatullën e majtë dhe në shpinë, të cilat pretendon se nuk shpjegohen nga vetëvarja.
Eksperti ka ndërtuar edhe modele tredimensionale për të analizuar pozicionin e trupit dhe natyrën e lëndimeve. Sipas tij, disa prej shenjave mund të përputhen me vetëvarjen, por të tjerat tregojnë për një përleshje fizike.
Një model 3D, i krijuar nga eksperti i mjekësisë ligjore Michael Freeman, tregon disa nga dëmtimet e identifikuara në qafën e Jeffrey Epstein-it pas vdekjes së tij.
Si një skenar alternativ, Freeman ka paraqitur mundësinë që Epstein të jetë mbytur nga prapa me një copë pëlhure të lidhur nyje.
Ai ka pretenduar se disa shenja horizontale në qafë, si dhe lëndimet në fytyrë dhe shpatull, përputhen me këtë teori. Sipas tij, një copë pëlhure e gjetur në qeli mund të ketë lidhje me mënyrën se si është shkaktuar mbytja.
Megjithatë, këto përfundime nuk përbëjnë një konstatim zyrtar se Epstein është vrarë. Freeman ka pranuar se raporti i tij ishte refuzuar nga një revistë akademike, ndërsa ka thënë se planifikon ta ridërgojë për shqyrtim.
Hetimi i vdekjes u shoqërua me një sërë dështimesh
Vdekja e Epsteinit ishte përcjellë me dyshime të shumta edhe për shkak të problemeve në hetimin fillestar.
Sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Drejtësisë, disa kamera në sektorin ku mbahej Epstein nuk funksiononin. Po ashtu, disa nga zyrtarët e burgut kishin falsifikuar regjistrat dhe kishin gënjyer për aktivitetet e tyre gjatë natës kur ai vdiq.
Trupi i Epsteinit ishte larguar nga qelia vetëm pak minuta pasi ishte gjetur, ndërsa vendi i ngjarjes nuk ishte ruajtur siç duhet për ekzaminim të plotë forenzik.
Edhe oficeri i burgut Michael Thomas, i cili e kishte gjetur trupin, ishte intervistuar nga hetuesit vetëm dy vjet më vonë, pasi ishte akuzuar për gënjeshtra dhe falsifikim të dokumenteve të burgut.
Kjo nuk është hera e parë që një ekspert vë në dyshim përfundimin zyrtar. Në vitin 2020, patologu Michael Baden, i angazhuar nga familja e Epsteinit, kishte deklaruar se lëndimet në qafën e tij ngrinin dyshime për mundësinë e vrasjes.
Nga ana tjetër, Zyra e Mjekësisë Ligjore e Nju Jorkut vazhdon të qëndrojë prapa konstatimit se Epstein kreu vetëvrasje. /Insajderi.org/
Copa pëlhure ngjyrë portokalli, e gjetur në qelinë e Jeffrey Epstein-it në burgun federal të Manhatanit – për të cilën eksperti i mjekësisë ligjore Michael Freeman thotë se mund të mbështesë teorinë e tij se abuzuesi famëkeq seksual është vrarë.
Burimi: Insajderi