Ekstradohen në Kosovë dy të dyshuar nga Mali i Zi dhe Gjermania

Ekstradohen në Kosovë dy të dyshuar nga Mali i Zi dhe Gjermania

Written by

in

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten, më 23 tetor 2026, janë ekstraduar në Kosovë dy shtetas të kërkuar me urdhërarreste ndërkombëtare, njëri nga Mali i Zi dhe tjetri nga Gjermania.

Sipas njoftimit të Policisë, ekstradimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.

“Me datë 23.10.2026 është ekstraduar nga Mali i Zi për në Kosovë, shtetasi i Kosovës S.M., pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë, i përfshirë në veprimtari penale. Pas kompletimit të procedurave ligjore, personi në fjalë është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për fillimin e vuajtjes së dënimit”, thuhet në njoftim.

Po të njëjtën ditë, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi i Kosovës E.B., i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.

“Pas ekstradimit, i dyshuari u dorëzua njësive përkatëse të Policisë, DRP Prizren, për procedura të mëtejshme ligjore”, bëhet e ditur në njoftim.

Policia e Kosovës ka theksuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. 

Burimi: RTKLive