Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka ngritur shqetësimin për mosfunksionalizimin e sistemeve të ngrohjes në disa shkolla dhe çerdhe të kryeqytetit, duke fajësuar bllokimin e mjeteve buxhetore dhe ndërprerjen e punimeve.
Përmes një reagimi publik, Elshani ka thënë se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për përfundimin e punimeve dhe funksionalizimin e ngrohjes, situata vazhdon të mbetet e pazgjidhur.
Ai ka pretenduar se bllokimi i mjeteve buxhetore nga Ministria e Financave dhe ndërprerja e punimeve nga operatori ekonomik kanë bërë që sistemet e ngrohjes në shkolla dhe çerdhe të mbeten jofunksionale.
Elshani i ka bërë thirrje Qeverisë që të zhbllokojë menjëherë mjetet buxhetore, ndërsa operatorit ekonomik i ka kërkuar përgjegjësi dhe angazhim maksimal për përfundimin e punimeve.
“Betejat politike, mosmarrëveshjet financiare dhe procedurat administrative nuk mund të jenë më të rëndësishme se mbarëvajtja e procesit mësimor, shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë”, ka deklaruar Elshani.
Në fund, ai ka kërkuar që politika të mos përfshihet në çështjet që lidhen me arsimin dhe mirëqenien e nxënësve. /Telegrafi/