Erdhi nga Shqipëria për të kërkuar mbrojtje nga ish-partneri, ai pretendon se mesazhet kërcënuese mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale

Erdhi nga Shqipëria për të kërkuar mbrojtje nga ish-partneri, ai pretendon se mesazhet kërcënuese mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale

Written by

in

Erdhi nga Shqipëria për të kërkuar mbrojtje nga ish-partneri, ai pretendon se mesazhet kërcënuese mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale

Një rast i kanosjes në kuadër të dhunës në familje në Pejë ka marrë një dimension të pazakontë. Një nënë e tre fëmijëve ka ardhur nga Shqipëria për të kërkuar urdhër mbrojtës ndaj bashkëshortit me të cilin është në proces të shkurorëzimit, ndërsa ky i fundit, pas arrestimit, ka mohuar akuzat duke pretenduar se mesazhet dhe postimet e denoncuara mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është E.I., rreth 40 vjeç, ndërsa viktima është A.I.A., rreth 32 vjeçe.

Gruaja është paraqitur në Stacionin Policor në Pejë më 27 nëntor, ku ka deklaruar se që nga gushti i këtij viti ndodhet në proces të shkurorëzimit dhe se ndihet e kërcënuar nga bashkëshorti.

Sipas saj, 40-vjeçari vazhdimisht e përndjek përmes rrjeteve sociale dhe, pavarësisht se ajo e kishte bllokuar, ai gjente mënyra për ta kontaktuar nëpërmjet familjarëve të saj.

Por ajo që e kishte shtyrë të kërkonte mbrojtje institucionale ishte edhe pretendimi se bashkëshorti po përdorte fëmijët e tyre për t’i përcjellë mesazhe me përmbajtje kërcënuese.

32-vjeçarja kishte arritur të incizonte njërin prej komunikimeve të të dyshuarit me fëmijët dhe incizimin e kishte dorëzuar në Polici si provë materiale.

Pas denoncimit, 40-vjeçari është arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit policorë.

Ai ka mohuar të gjitha akuzat, duke kundërshtuar autenticitetin e mesazheve dhe postimeve të denoncuara.

Madje, i dyshuari ka pretenduar se ato mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale, duke deklaruar se nuk posedon llogari në Facebook dhe se asnjëherë nuk i kishte përcjellë bashkëshortes mesazhe kërcënuese përmes fëmijëve.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Kanosja”, në kuadër të dhunës në familje, ndërsa 40-vjeçari është ndaluar për 48 orë.

Pas denoncimit, gruaja është kthyer vullnetarisht në Shqipëri, ku edhe jeton.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali