
Një 26-vjeçare në Prishtinë ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit, gjatë intervistimit, ka pranuar se e kishte goditur gruan me shuplakë në fytyrë dhe se ishte konsumues i kokainës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është E.SH., rreth 34 vjeç, ndërsa viktima është E.V., rreth 26 vjeçe.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, më 28 nëntor, rreth orës 10:00, ndërsa gjysmë ore më vonë gruaja ishte paraqitur në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë për ta denoncuar bashkëshortin.
Gjatë intervistimit në cilësinë e të dyshuarit, 34-vjeçari ka pranuar se konsumon substanca narkotike të llojit kokainë dhe se e kishte goditur bashkëshorten me shuplakë në fytyrë.
Pavarësisht pranimit të sulmit fizik, Prokurori i Shtetit ka udhëzuar që ndaj 34-vjeçarit të iniciohet rast për veprën penale “Dhuna në familje” dhe ai të lirohet në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali