
Eurodeputeti Rihards Kols ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, Policia ka ndërhyrë gjatë protestave dhe duke kërkuar hetimin e rasteve të pretenduara të dhunës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Përmes një reagimi në platformën X, Kols ka deklaruar se Shqipëria prezantohet në Bruksel si aleate e besueshme e NATO-s dhe si një nga vendet që udhëheqin procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa ka ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave demokratike brenda vendit.
“Shqipëria paraqitet në Bruksel si një aleate e besueshme e NATO-s dhe si një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE. Në vend, policia i pret studentët dhe të miturit me plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Gazetarët rrihen teksa kryejnë punën e tyre”, ka shkruar ai.
Eurodeputeti ka theksuar se vlerat demokratike duhet të dëshmohen përmes respektimit të qytetarëve dhe sundimit të ligjit.
“NATO-ja dhe BE-ja janë aleanca të demokracive. Të dyja mbështeten në sundimin e ligjit dhe respektimin e qytetarëve. Gazi lotsjellës kundër studentëve dhe sulmet ndaj gazetarëve tregojnë të kundërtën”, ka deklaruar Kols.
Ai ka shkuar edhe më tej, duke kritikuar drejtpërdrejt qeverinë shqiptare.
“Vlerat dëshmohen brenda vendit. Qeveria e Shqipërisë aktualisht po dështon në këtë provë”, është shprehur eurodeputeti.
Kols ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet që zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë e lidhin me ndikime nga jashtë.
“Fajësimi i ‘ndërhyrjes së huaj’ për zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është fyerje ndaj tyre”, ka theksuar ai.
Në fund, eurodeputeti ka kërkuar që çdo rast i pretenduar i dhunës policore të hetohet, duke nënvizuar se qytetarët shqiptarë duhet të kenë mundësinë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
“Çdo rast i dhunës policore duhet të hetohet. Shqiptarët duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”, ka përfunduar Kols.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Eurodeputeti kritikon ashpër autoritetet shqiptare: Të fajësosh të rinjtë për ndërhyrje të huaja është fyerje ndaj tyre appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali