
Udhëheqësit evropianë kanë deklaruar se janë të gatshëm për negociata me Rusinë lidhur me dhënien fund të luftës në Ukrainë, duke shprehur kështu një mbështetje të fuqishme për Kievin.
“Evropa ka një qëndrim negociues të qartë, të qëndrueshëm dhe të unifikuar,” tha kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se “kërkesat maksimaliste” të Moskës nuk janë realiste.
Ata po flisnin në samitin e aleatëve të Ukrainës në Berlin, të njohur si “Koalicioni i të Gatshmëve”.
Të pranishëm ishin edhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump; dhëndri i tij, Jared Kushner, u shpreh se Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje me Rusinë “duke pasur Evropën në krah”. Deri më tani, Vladimir Putini i Rusisë e ka refuzuar çdo rol të mundshëm të Evropës në bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Më herët, Trump kishte zhvilluar bisedime historike trepalëshe në Shenzhen me Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa më vonë iu bashkua samitit të Berlin-it përmes një lidhjeje nga avioni presidencial “Air Force One”.
Në një konferencë të gjatë për shtyp pas bisedimeve me Trumpin dhe Xinë, Putini iu përgjigj pyetjes rreth bisedimeve shumëpalëshe të paqes, duke thënë se amerikanët po i kërkonin “me ngulm” Rusisë që të lejonte pjesëmarrjen e evropianëve.
Putini pohoi se Rusia nuk është kundër kësaj ideje, por shtoi se Moska dëshiron të sqarojë “se çfarë do të sjellë Evropa në këto bisedime”.
“Prandaj, përmes kanaleve diplomatike, i kemi ftuar evropianët të vijnë në Moskë për të përcaktuar qëndrimet e tyre. Dhe më pas, do të vendosim se në çfarë formati do ta vazhdojmë dialogun me Ukrainën.”