Fetoshi ka vënë në pikëpyetje nëse dhuna e shfaqur gjatë protestave në Tiranë pasqyron vetëm pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisë, duke argumentuar se djegia e institucioneve, shkatërrimi i pronës dhe përplasjet e dhunshme kërkojnë vëmendje të veçantë.
“Por, përtej kërkesave legjitime dhe të drejtës demokratike që të protestohet, djegia e institucioneve, shkatërrimi i pronave, përdorimi i flamurit të UÇK-së dhe dhuna e shfrenuar me të plagosur nga të dyja palët, nuk duken thjesht pakënaqësi autentike ndaj një pushteti ‘korruptiv e të dështuar’”, ka deklaruar Fetoshi.
Sipas tij, shfrytëzimi i tensioneve politike dhe shoqërore për të thelluar polarizimin dhe për të cenuar besimin në perspektivën evropiane të Shqipërisë përbën një rrezik që duhet analizuar në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike në rajon.
“Shfrytëzimi i tensioneve për ta thelluar polarizimin dhe për ta minuar besimin ndaj perspektivës europiane të një shteti të NATO-s, është një kërcënim që duhet të shqyrtohet edhe nga perspektiva e luftës hibride”, ka theksuar ai.
Fetoshi ka përmendur strategjinë e Serbisë ndaj Kosovës, interesat e Moskës për pengimin e integrimit euroatlantik të rajonit, si dhe historinë e ndërhyrjeve dhe rivaliteteve gjeopolitike që, sipas tij, duhet të merren parasysh gjatë analizimit të situatës në Shqipëri.
Në këtë kontekst, ai ka tërhequr vëmendjen edhe te mënyra se si protestat janë paraqitur në mediat serbe dhe ruse, duke përmendur përdorimin e termave si “kaos” dhe “zonë lufte”, si dhe ndërlidhjen e zhvillimeve me të ashtuquajturin “Revolucionin e Flamingove” dhe investimin e Jared Kushnerit.
Sipas Fetoshit, këto elemente, së bashku me rastet e manipulimit informativ, e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin e mundësisë së një agjende destabilizuese. Megjithatë, pretendimet për ndërhyrje të jashtme kërkojnë verifikim dhe prova konkrete.
Duke e ndarë legjitimitetin e protestës nga përdorimi i dhunës, Fetoshi ka nënvizuar se çështja kryesore nuk është vetëm fati politik i kryeministrit Edi Rama, por edhe ruajtja e stabilitetit të shtetit dhe e orientimit të tij euroatlantik.
“Pra, nuk ka shumë rëndësi nëse rrëzohet Edi Rama, por kurrsesi duke e rrëzuar Shqipërinë”, ka deklaruar Fetoshi.
Në përfundim, ai ka bërë thirrje për shmangien e përshkallëzimit dhe të pasojave që mund të dëmtojnë interesat e vendit.
“Ka shumë rëndësi të dalim nga kthetrat e shprehjes ‘për inat të resë më vdektë djali’”, ka theksuar ai, duke shtuar se pyetja thelbësore mbetet: “Kujt i shërben dhuna, anarkia dhe destabilizimi?”
Burimi: RTKLive
