
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta kthejë në rigjykim kontestin juridik ndërmjet tri shoqërive tregtare dhe Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), lidhur me përmbushjen e kontratës ose kompensimin e dëmit material, përfshirë fitimin e humbur.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Supreme, janë aprovuar si të bazuara revizionet e paraqitura nga kompanitë Made Group Construction SH.P.K., Arkos SH.P.K. dhe Madekos SH.P.K., në çështjen ku e paditur është Ndërmarrja Publike Banesore SH.A., ndërsa palë ndërhyrëse është Komuna e Prishtinës.
Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 13 tetor 2026, ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, të datës 5 qershor 2026, si dhe aktgjykimin e Dhomave të Shkallës së Parë, të datës 17 mars 2026.
Me këtë vendim, çështja është kthyer në Gjykatën Komerciale, në shkallën e parë, për rigjykim.
Supremja konstaton shkelje thelbësore dhe zbatim të gabuar të ligjit
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se aktgjykimet e instancave më të ulëta përmbajnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Sipas Supremes, këto mangësi kanë ndikuar që gjendja faktike të mos vërtetohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë.
Për këtë arsye, gjykata ka dhënë udhëzime konkrete se si duhet të veprojnë gjykatat e instancave më të ulëta gjatë rigjykimit të çështjes.
Vendimi i Supremes nuk e zgjidh përfundimisht kontestin ndërmjet palëve, por e rikthen atë për shqyrtim dhe vendimmarrje të re në Gjykatën Komerciale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | Supremja rrëzon vendimet e Gjykatës Komerciale, kthen në rigjykim kontestin mes tri kompanive dhe Ndërmarrjes Publike Banesore appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali