Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, ishte pjesë e programit hapës të festivalit ndërkombëtar “Eastern Neighbours Film Festival” (ENFF), i cili u mbajt në Hagë të Holandës.
Mbrëmja hapëse u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë dhe nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, shkruan Telegrafi.
Programi vijoi me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.
Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money” të regjisorit Visar Morina, i cili sjell historinë e një familjeje nga Kosova, që përballet me vështirësi ekonomike dhe pasojat e një tradhtie brenda familjes, e cila rrezikon jetesën e saj.
Mbrëmja u përmbyll me një pritje, gjatë së cilës të ftuarit shijuan ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova, duke pasur mundësi të njihen më nga afër me kulturën dhe traditat shqiptare e kosovare.
Në këtë edicion të festivalit ishte i pranishëm edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren. Ai ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të reja.
Sipas Ambasadës së Kosovës në Hagë, pjesëmarrja e Nurkollarit dëshmon prezencën e profesionistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare të filmit dhe kontributin e tyre në promovimin e kinematografisë dhe krijimtarisë filmike të rajonit.
Ambasada e Republikës së Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë mbrëmje, gjatë së cilës kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë./Telegrafi/