Qendra e Barcelonës u përfshi nga kaosi të shtunën në mbrëmje, pasi grupe të rinjsh u përplasën me policinë, dëmtuan pronën publike dhe plaçkitën dyqane.
Sipas autoriteteve, rreth 100 persona u arrestuan, afërsisht një e katërta e tyre të mitur.
Protesta nisi në orët e pasdites pranë sheshit Plaça de Catalunya dhe u organizua në rrjetet sociale me sloganin “Instituts Indignats”, me synimin për të sjellë në kryeqytetin katalanas lëvizjen rinore franceze “Lycéens Indignés”.
Sipas mediave spanjolle, në tubim morën pjesë rreth 600 persona.
Protestuesit hodhën gurë dhe sende të rënda drejt policisë, ngritën barrikada, u vunë flakën koshave të mbeturinave dhe thyen vitrinat e dyqaneve.
Policia ndërhyri me operacione për shpërndarjen e turmës dhe rikthimin e kontrollit në zonë.
Sipas gazetës La Vanguardia, rreth 14 dyqane u plaçkitën. Dëme u shkaktuan gjithashtu në motoçikleta, biçikleta dhe stacione të autobusëve.
Për shkak të trazirave, shumë biznese u detyruan të mbyllnin dyert, ndërsa autoritetet kufizuan hyrjen në sheshin Plaça de Catalunya. Përkohësisht u ndërprenë edhe shërbimet e trenave që ndalonin në stacionin me të njëjtin emër.
Kryetari i bashkisë së Barcelonës, Jaume Collboni, dënoi incidentet dhe njoftoi se bashkia do të marrë pjesë në procedurat ligjore për të kërkuar përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.
“Kjo nuk do të lihet me kaq. Do të shkojmë deri në fund”, paralajmëroi ai, duke shtuar se mund të ketë pasoja edhe për prindërit ose kujdestarët ligjorë të të miturve të përfshirë.
Edhe presidenti i qeverisë së Katalonjës, Salvador Illa, dënoi trazirat dhe mbrojti reagimin e policisë.
“Protesta është një e drejtë demokratike”, deklaroi ai, duke theksuar se dhuna nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte.
Ministrja e Brendshme e Katalonjës, Núria Parlon, i cilësoi ngjarjet si “dhunë të pajustifikuar dhe vandalizëm”, duke këmbëngulur se personat përgjegjës nuk po mbronin ndonjë kauzë legjitime. /Telegrafi/