Kantoni i Friburgut në Zvicër po përjeton një rritje të madhe të popullsisë, duke u renditur ndër rajonet me zhvillimin më të shpejtë demografik në vend.
Gjatë pesë viteve të fundit, më shumë se 25 mijë persona janë vendosur në këtë kanton, i cili tashmë numëron mbi 350 mijë banorë.
Sipas transmetuesit publik zviceran RTS, një nga arsyet kryesore të këtij zhvillimi janë çmimet më të përballueshme të banesave dhe tokave ndërtimore, krahasuar me kantonet fqinje.
Qiratë më të ulëta dhe cilësia e jetës po e bëjnë Friburgun një destinacion gjithnjë e më tërheqës për familjet.
Një tjetër faktor është pozita e tij gjeografike. Banorët mund të jetojnë në Friburg dhe të udhëtojnë për punë drejt qendrave të rëndësishme ekonomike, si rajoni i Liqenit të Gjenevës dhe kryeqyteti Berna.
Sipas të dhënave të RTS-së, që nga fillimi i viteve 2000, rreth 1.500 persona nga kantonet e tjera vendosen çdo vit në Friburg, transmeton Telegrafi.
Shumica vijnë nga kantonet Vaud, Bernë dhe Neuchatel. Ndër zonat më të kërkuara për banim përmenden Chatel-Saint-Denis, Bulle dhe Estavayer-le-Lac.
Megjithatë, rritja e shpejtë e popullsisë po krijon edhe sfida për autoritetet lokale.
Shkollat, çerdhet, spitalet dhe transporti publik po përballen me kërkesa gjithnjë e më të mëdha, ndërsa disa komuna kanë vështirësi në përballimin e shpenzimeve të shtuara.
Një tjetër shqetësim është se rritja e popullsisë nuk po shoqërohet me një zgjerim të njëjtë të ekonomisë dhe vendeve të punës. Numri i vendeve të punës për banor në kantonin Friburg mbetet nën mesataren kombëtare.
Autoritetet përballen kështu me sfidën që të menaxhojnë rritjen demografike, duke ruajtur njëkohësisht përparësitë që e kanë bërë kantonin një nga destinacionet më tërheqëse për banim në Zvicër./Telegrafi/