Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babiq” të Ushtrisë Kroate.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Kroacinë dhe synoi avancimin e aftësive udhëheqëse dhe profesionale të pjesëtarëve ushtarakë.
Trajnimi u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit, ku pjesëmarrësit vunë në sprovë qëndrueshmërinë fizike e mendore, disiplinën, aftësitë udhëheqëse dhe vendimmarrjen në kushte sfiduese.
Në trajnim morën pjesë ushtarakë nga Kroacia, Kosova, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Marshimi përmbyllës kishte edhe domethënie simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë luftës atdhetare.
FSK-ja ka vlerësuar se pjesëmarrja në këtë trajnim paraqet mundësi për shkëmbimin e përvojave, zhvillimin profesional të pjesëtarëve të saj dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Burimi: Dukagjini
