
Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë shtuar 12 kamionë ushtarakë UNIMOG 5T, 4×4, të tipit Mercedes-Benz, ndërsa dhjetëra automjete të tjera pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar për pajisjen e FSK-së me automjete të reja që do të shërbejnë për transport dhe mbështetje logjistike.
Sipas Kurtit, 12 kamionët e rinj UNIMOG i janë shtuar flotës prej 15 kamionësh Rheinmetall, ndërsa ditë më parë kanë arritur edhe tetë kamionë të tjerë KX 8×8, të blerë nga kompania Rheinmetall. Me këto prurje, numri i kamionëve të këtyre dy kategorive arrin në 35 automjete.
“Dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se kamionët UNIMOG 5T janë të përshtatshëm për lëvizje në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, ndërsa kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 rrisin kapacitetet transportuese dhe forcojnë mbështetjen logjistike të FSK-së.
Kurti ka vënë në pah se modernizimi i një force ushtarake nuk kufizohet vetëm te armatimi dhe pajisjet luftarake, por përfshin edhe kapacitetet për lëvizje, furnizim dhe operim efikas.
“Këto investime janë pjesë e angazhimit tonë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Për pranimin e kamionëve ka njoftuar edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e dorëzimit kanë marrë pjesë edhe kryeministri Kurti, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks.
“Sot, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks, morëm në dorëzim 12 kamionë ushtarakë UNIMOG – Mercedes Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka bërë të ditur se përkrah blerjeve, Gjermania po kontribuon edhe përmes donacioneve për FSK-në.
“Përveç blerjeve, Gjermania po e mbështet FSK-në edhe përmes donacioneve. Në vitin 2024 pranuam pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Sipas planifikimit, gjatë vitit 2027 presim të pranojmë edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG – Mercedes Benz si donacion nga Gjermania. E vlerësojmë këtë mbështetje konkrete dhe partneritetin e vazhdueshëm mes vendeve tona”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri ka theksuar se investimet në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore do të vazhdojnë, me synimin për të ndërtuar një forcë profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët, në shërbim të sigurisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në kuadër të zgjerimit të personelit, Kurti ka njoftuar gjithashtu se të premten e kaluar janë betuar 515 rekrutë të rinj të FSK-së, ndërsa në fillim të kësaj jave kanë nisur trajnimin edhe 209 rekrutë të tjerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali