Drejtori ekzekutiv i “Sbunker”, Fitim Gashi, ka vlerësuar se marrëveshja mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si presidente mund të jetë njëra nga arsyet e dorëheqjes së Bedri Hamzës nga posti i kryetarit të PDK-së.
Duke komentuar vendimin e Hamzës në emisionin “FIVE”, Gashi tha se dorëheqja e tij është e arsyeshme në rrethanat aktuale brenda partisë, duke përmendur zhvillimet dhe mosmarrëveshjet e brendshme në PDK.
Sipas tij, një nga çështjet që mund të ketë ndikuar në këtë vendim është kundërshtimi i një pjese të partisë ndaj bashkëpunimit dhe dialogut me Lëvizjen Vetëvendosje, veçanërisht në lidhje me zgjedhjen e presidentes.
Gashi nuk përjashtoi mundësinë që dorëheqja të jetë ndikuar edhe nga faktorë të tjerë, përtej atyre që Hamza i bëri publikë.
Ai vlerësoi se, në rrethanat e krijuara, marrëveshja për zgjedhjen e presidentes ka qenë e dobishme për të dyja palët, si për PDK-në, ashtu edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Po plotësisht pajtohem që mund të jetë edhe kjo njëra prej arsyeve për shkak që ka pasur kundërshtime brenda Partisë Demokratike. Sa i përket bashkëpunimit të saj eventual me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit, por mendoj se duhet të jemi të arsyeshëm dhe në ato rrethana, se mënyrës se si erdhën deri tek momenti i fundit për zgjedhjen e presidentit. Mendoj se ka qenë benefit për të dyja anët, qoftë për Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë për Partinë Demokratike”, ka deklaruar ai.
Hamza njoftoi se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PDK-së, më pak se një vit pasi mori drejtimin e partisë.
Ai tha se vendimi ishte i menduar mirë dhe shprehu bindjen se zgjedhjet e brendshme partiake do t’u japin më shumë hapësirë të rinjve për të kontribuar në parti.
Burimi: Dukagjini
