Gërvalla këto deklarata i bëri në ceremoninë hapëse të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku theksoi se përgjegjësia për koordinimin e institucioneve u takon vetë institucioneve dhe jo grave që përpiqen të dalin nga dhuna.
“Një grua që është duke u përpjekur të dalë nga dhuna nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve tona. Këtë detyrë e kemi ne, na takon neve”, tha Gërvalla.
Ajo paralajmëroi se në rastet me rrezik të lartë, reagimi institucional duhet të jetë i menjëhershëm.
“Në rastet me rrezik të lartë, vonesat mund të kenë pasoja të rënda. Prandaj, vlerësimi i rrezikut, shkëmbimi i informacionit dhe zbatimi i masave mbrojtëse kërkojnë vëmendje të përditshme. Një kërcënim i përsëritur duhet të ndikojë në reagimin institucional”, u shpreh ajo.
Duke folur për Strategjinë e Re Kombëtare 2027–2031, ministrja tha se përmes saj synohet adresimi i problemeve konkrete në trajtimin e rasteve të dhunës.
“Kështu e shoh edhe punën e Strategjisë së Re Kombëtare 2027–2031, e cila do t’i adresojë problemet konkrete. Ku vonohet reagimi, ku mungojnë shërbimet dhe ku mbetet e paqartë përgjegjësia. Për çdo masë duhet të dihet kush përgjigjet dhe si do të vlerësohet rezultati”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se mbështetja për viktimat nuk duhet të përfundojë me raportimin e rastit, pasi nevojat e tyre mund të vazhdojnë edhe më pas.
“Mbështetja duhet të vazhdojë edhe pas raportimit. Një grua mund të ketë nevojë për strehim, ndihmë juridike dhe mbështetje psikologjike. Mund të ketë nevojë për mundësi ekonomike që të rindërtojë jetën e saj, një perspektivë profesionale, të cilën nuk do të mund ta arrijë pa mbështetje institucionale”, deklaroi ajo.
Në këtë drejtim, Gërvalla përmendi ndihmën juridike falas dhe kompensimin e viktimave si pjesë të përgjigjes institucionale ndaj dhunës.
Ajo foli edhe për rëndësinë e trajtimit psikosocial të kryerësve të dhunës, duke theksuar se kjo është një prej masave për parandalimin e përsëritjes së saj, krahas përgjegjësisë që ata duhet të mbajnë për veprimet e tyre.
Burimi: RTKLive
