
Sarmand Cufa, rreth 26-vjeçar nga Gjakova, është emër i njohur për organet e rendit. Për të, Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe në prill të këtij viti, kur Policia ishte vënë në lëvizje pas publikimit të një video-incizimi ku ai shfaqej me një armë në dorë.
Tash, gjashtë muaj më vonë, i riu është ndaluar sërish, kësaj radhe nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se hetuesit e antidrogës kanë kryer një kontroll në shtëpinë e Cufës, në rrugën “Elez Miftari” në Gjakovë, të enjten, më 29 tetor, rreth orës 16:40.
Gjatë bastisjes, në pronën e tij janë gjetur një pako plastike me 14.65 gramë substancë të dyshuar marihuanë dhe një joint me peshë 0.94 gramë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Pas kontrollit, Cufa është shoqëruar në zyrat e hetuesve të antidrogës për intervistim, ndërsa pas konsultimit me organet kompetente është ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sinjali kishte raportuar për Cufën edhe më 29 prill 2026, kur Policia në Gjakovë kishte pranuar një video-incizim ku ai shihej me një armë në dorë, në rrugën “Pashko Vasa”.
Pas identifikimit, ai ishte kontaktuar nga Policia dhe kishte deklaruar se arma nuk ishte reale, por një shkrepës, ndërsa videoja, sipas tij, ishte realizuar më herët.
Policia kishte kryer edhe kontroll në shtëpinë e tij, por nuk kishte gjetur ndonjë mjet të dyshuar. Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti ishte iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa ai ishte liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në rastin e fundit, substancat e sekuestruara pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali