
Mbetje eshtërore të një personi janë gjetur në varrezat e fshatit Shipol të Mitrovicës, në kuadër të hetimeve për personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Sipas njoftimit të policisë, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka realizuar ekzekutimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë veprimeve në terren, autoritetet kanë hasur në mbetje eshtërore njerëzore, për të cilat dyshohet se i përkasin një viktime mashkull të nacionalitetit kosovar.
Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e mëtejshme dhe procedurat e nevojshme të identifikimit.