Një person i gjinisë mashkullore është gjetur pa shenja jete të shtunën në rrugën “Mbreti Bardhyl” në Pejë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Ai ka bërë të ditur se policia është njoftuar rreth orës 11:20 se në vendbanimin e tij ishte gjetur një person i pajetë.
“Sot, rreth orës 11:20, jemi njoftuar se në rrugën “Mbreti Bardhyl” në Pejë, në vendbanimin e tij, është gjetur pa shenja jete një mashkull madhor. Vdekja e tij është konstatuar nga personeli mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Rugova.
Sipas tij, për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Në konsultim me prokurorin, është iniciuar rast si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Rugova ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse policore, ndërsa hetimet dhe veprimet e tjera procedurale janë në vazhdim./Telegrafi/