
Komuna e Drenasit ka publikuar të dhëna lidhur me gjendjen e rrugëve në qytet dhe në fshatra, pas reshjeve të borës dhe rënies së temperaturave.
Rrugët në qytetin e Drenasit janë të kalueshme, por në disa zona raportohet për vështirësi në qarkullim si pasojë e ngricave, temperaturave të ulëta dhe erërave të forta, të cilat shkaktojnë grumbullim të borës në segmente të ndryshme rrugore.
Sipas njoftimit të komunës, kryetari Ramiz Lladrovci ka bashkëpunuar për koordinimin e punëve në terren dhe menaxhimin e situatës me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Nexhmedin Gruda, menaxherët e kontratave, administratorët e vendbanimeve dhe Policinë e Kosovës, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes dimërore do të mbeten të angazhuara edhe në orët në vijim.
Komuna ka bërë të ditur gjithashtu se deri më 12 dhjetor 2026, mirëmbajtja dimërore e rrugëve kryhet nga tre operatorë ekonomikë të ndarë në tri lote, ndërsa nga kjo datë shërbimi do të vijojë sipas kontratës së re.
“Komuna iu ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo vështirësi në rrugë dhe të tregojnë kujdes të shtuar, pasi rreziku nga ngricat dhe grumbullimi i borës mbetet i pranishëm”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali