Gjermani: 18-vjeçari përplas Ferrarin në shtyllën e urës, dëmet kapin qindra mijëra euro

Gjermani: 18-vjeçari përplas Ferrarin në shtyllën e urës, dëmet kapin qindra mijëra euro

Written by

in

Gjermani: 18-vjeçari përplas Ferrarin në shtyllën e urës, dëmet kapin qindra mijëra euro

Një Ferrari i verdhë është përplasur kokë më kokë me një shtyllë të urës në Dusseldorf të Gjermanisë, në natën mes të enjtes dhe të premtes.

Në timonin e veturës luksoze ishte një 18-vjeçar, ndërsa policia gjermane po heton edhe mundësinë që aksidentit t’i ketë paraprirë një garë e paligjshme me vetura.

Sipas policisë atje, 18-vjeçari dyshohet se po tentonte të kthehej djathtas në rrugën Volklinger Strabe, por nuk arriti ta përfundonte kthesën dhe u përplas me shtyllën e urës.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme, 18-vjeçari po tentonte të kthehej djathtas. Me sa duket, nuk arriti ta përfundonte kthesën dhe u përplas me Ferrarin në shtyllën e urës”, deklaroi Kim Freigang, zëdhënës i Policisë së Dusseldorf-it, për median gjermane BILD.

Kur ekipet e para të emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, gjetën veturën sportive të shkatërruar, transmeton Klankosova.tv

Sipas raportimeve, Ferrari dyshohet se u përplas drejtpërdrejt me shtyllën e urës pa frenuar.

Si pasojë e aksidentit, janë lënduar shoferi 18-vjeçar dhe pasagjeri i tij, 17 vjeç.

Ende nuk dihet shkalla e lëndimeve të tyre. Ndërkaq, shoferi i një BMW M3 të zezë, i përfshirë në rast, nuk ka pësuar lëndime.

Policia gjermane dyshon se Ferrari po lëvizte me shpejtësi të tepruar dhe po heton nëse para aksidentit kishte ndodhur një garë e paligjshme mes tij dhe BMW-së së zezë.

“Ferrari po lëvizte me shpejtësi të tepruar në Dusseldorf. Po hetojmë nëse aksidentit mund t’i ketë paraprirë një garë e ndaluar me një BMW M3 të zezë”, tha zëdhënësi i policisë.

Një ekip i posaçëm për hetimin e aksidenteve ka dokumentuar vendin e ngjarjes dhe ka mbledhur prova, me qëllim të rindërtimit të rrethanave që çuan në përplasjen e rëndë.

Gjatë operacionit të shpëtimit dhe largimit të veturave, rrugët Völklinger Straße dhe Plockstrabe u mbyllën për disa orë.

Dëmet materiale vlerësohen të jenë të mëdha. Sipas policisë, bazuar në të dhënat e deritanishme, ato arrijnë në rreth 320 mijë euro.