Gjykatësja federale i ndalon administratës Trump kërcënimet ndaj zyrtarëve zgjedhorë

Gjykatësja federale i ndalon administratës Trump kërcënimet ndaj zyrtarëve zgjedhorë

Written by

in

Gjykatësja federale i ndalon administratës Trump kërcënimet ndaj zyrtarëve zgjedhorë

Një gjykatëse federale në SHBA ka urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump të ndalojë kërcënimet me ndjekje penale ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve, në rastet kur ata refuzojnë t’u binden kërkesave të administratës lidhur me votuesit që dyshohet se nuk janë shtetas amerikanë.

Vendimi u mor të premten, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të mesmandshme në SHBA, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do ta kontrollojë Kongresin amerikan.

Gjykatësja federale Trina Thompson vlerësoi se Departamenti i Drejtësisë kishte tejkaluar kompetencat e tij duke kërcënuar me ndjekje penale zyrtarët që nuk bashkëpunonin me nismat e administratës Trump për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.

Administrata Trump u kishte kërkuar shteteve të dorëzonin të dhënat e regjistrimit të votuesve, duke argumentuar se masat më të rrepta janë të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve, shkruan NBC News.

Megjithatë, gjykatësja urdhëroi administratën të mos u kërkojë zyrtarëve lokalë të largojnë votues nga listat e regjistrimit, të refuzojnë fletëvotimet e personave të caktuar apo t’i ndajnë ato në bazë të listave të administratës për personat që dyshohet se nuk janë shtetas amerikanë.

Në vendimin e saj, Thompson theksoi se interesi publik kërkon që zyrtarët dhe punonjësit zgjedhorë të mund ta kryejnë detyrën e tyre në përputhje me ligjet federale dhe procedurat zgjedhore.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga sindikatat e punonjësve të zgjedhjeve dhe disa organizata të tjera. Kritikët, përfshirë ekspertë politikë dhe zyrtarë nga të dyja partitë, Demokratike dhe Republikane, i kanë cilësuar veprimet e administratës si ndërhyrje të tepruar të pushtetit federal në proceset zgjedhore.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka komentuar menjëherë vendimin.

Trump, në të kaluarën, ka bërë pretendime të pavërteta lidhur me zgjedhjet, përfshirë refuzimin për të pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali