
Bayern Munich ka marrë një goditje të madhe, pasi sulmuesi anglez Harry Kane ka pësuar një dëmtim serioz në kyçin e këmbës së majtë, që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth tre muaj.
Kane u lëndua të premten, gjatë pjesës së parë të ndeshjes ndaj FC Koln, e vlefshme për Bundesligën, pasi pësoi këputje të ligamentit sindezmotik në kyçin e këmbës.
Lëndimi ndodhi në minutën e 20-të, kur sulmuesi po përpiqej të arrinte një top pas një krosimi të devijuar nga Michael Olise. Mbrojtësi i Kolnit, Joel Schmied, arriti i pari te topi dhe, gjatë ndërhyrjes, goditi këmbën e majtë të futbollistit anglez.
Pas kontaktit, Kane u rrëzua në fushë, duke shfaqur shenja të qarta dhimbjeje. Ai mori ndihmën e stafit mjekësor, por nuk arriti ta vazhdonte ndeshjen dhe u zëvendësua nga Tom Bischof.
Bayerni konfirmoi më pas diagnozën, duke bërë të ditur se sulmuesi do të mungojë gjatë muajve të ardhshëm. Drejtori sportiv i klubit, Max Eberl, bëri të ditur se pritjet janë që Kane të qëndrojë jashtë fushave për afërsisht tre muaj.
Problemet e Bayernit me lëndimet nuk përfunduan me Kane. Edhe Michael Olise u detyrua të largohej nga loja në fillim të pjesës së dytë, pasi kishte pësuar një dëmtim pas një përplasjeje me Tom Krauss.
Francezi u largua nga stadiumi me paterica, por trajneri Vincent Kompany sqaroi se kjo ishte vetëm një masë parandaluese. Sipas njoftimit të klubit, Olise kishte pësuar një goditje në këmbë dhe do të marrë trajtim gjatë ditëve në vijim.
Mungesa e mundshme e të dy futbollistëve për një periudhë të gjatë do të ishte një problem i madh për kampionët gjermanë. Kane dhe Olise kanë shënuar së bashku 22 nga 54 golat e Bayernit këtë sezon, duke përbërë 41 për qind të realizimeve të skuadrës.
Ndërkohë, Bayerni nuk arriti të marrë më shumë se një barazim në përballjen me Kolnin. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 12-të me golin e Mikey Moore, ndërsa Nathaniel Brown barazoi rezultatin në minutën e 37-të.
Pavarësisht dominimit në posedimin e topit, bavarezët regjistruan vetëm një goditje në kuadratin e portës gjatë gjithë ndeshjes. Kjo ishte hera e parë që Bayerni realizoi vetëm një goditje në portë në një ndeshje si vendas në Bundesligë, të paktën që nga sezoni 2004/05.
Bayerni vazhdon të kryesojë kampionatin gjerman, por me vetëm një pikë më shumë se Borussia Dortmundi, e cila të shtunën do të përballet në udhëtim me Borussia Mönchengladbachun.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali