
Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë në Durrës, nën dyshimet për grabitje dhe posedim të lëndëve narkotike.
Në operacionin e parë, të koduar “Reagimi”, është arrestuar një 34-vjeçar, i dyshuar për kërcënimin me mjet prerës dhe grabitjen e një taksisti në lagjen nr. 14 të qytetit të Durrësit.
Sipas njoftimit të Policisë, 34-vjeçari me inicialet Xh. S. dyshohet se mëngjesin e sotëm ka kërcënuar me mjet prerës një taksist 30-vjeçar, me inicialet A. Q., duke i marrë celularin, një shumë parash dhe çelësin e veturës.
Ndërkaq, në një aksion të dytë, janë arrestuar në flagrancë dy të rinj, D. Z., 27 vjeç, dhe E. K., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, të dyshuar për transportimin e farave të kanabisit dhe lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të një furgoni, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme farash të dyshuara narkotike të llojit kanabis, një sasi lënde të dyshuar narkotike të të njëjtit lloj, si dhe një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lëndët e dyshuara narkotike, paratë, furgoni dhe dy telefona celularë. /Klankosova.tv