Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se sistemi do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë mjete brenda pak sekondash, në çdo kohë të ditës dhe shtatë ditë në javë, pa u kufizuar nga orari i punës së bankave apo ditët e pushimit.
Ai ka bërë të ditur se sistemi bazohet në teknologjinë TIPS të Eurosistemit, ndërsa Banka e Italisë e ka zhvilluar dhe e operon këtë platformë në emër të Eurosistemit.
“Miratimi i kësaj nisme nga Banka Qendrore Evropiane dëshmon rëndësinë e saj në kuadër të bashkëpunimit financiar evropian”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen financiare, Ministrinë e Financave për koordinimin, si dhe Bankën Qendrore të Kosovës për udhëheqjen dhe realizimin e projektit.
Ai ka përgëzuar edhe institucionet financiare për angazhimin në funksionalizimin e kësaj infrastrukture, e cila synon të lehtësojë pagesat për qytetarët dhe bizneset.
Burimi: RTKLive
